Nëse planifikon të ndërtosh një objekt të ri ose të bësh një shtesë në një ndërtesë ekzistuese, që nuk e kalon sipërfaqen prej 250 metrash katrorë në të gjitha katet së bashku, është e detyrueshme të pajisesh me leje ndërtimi. Kjo leje merret përmes portalit elektronik qeveritar e-Albania dhe vlen vetëm për persona që janë pronarë të ligjshëm të pronës. Leja është e nevojshme edhe në rastet kur kryhet rikonstruksion i një objekti ekzistues. Nëse ndërtimi kryhet pa leje, apo duke shmangur procesin ligjor, do të konsiderohet i paligjshëm dhe për pasojë do të ketë gjobë dhe mundësi prishjeje nga autoritetet ndërtimore.
Aplikimi për leje ndërtimi bëhet online dhe i dërgohet bashkisë për shqyrtim. Bashkia është ajo që kryen koordinimin me institucionet e tjera publike nëpërmjet sistemit elektronik, pa pasur nevojë që qytetari të paraqitet fizikisht. Nëse institucionet e përfshira nuk japin përgjigje brenda 10 ditësh pune, miratimi i tyre konsiderohet i dhënë në mënyrë të heshtur. Bashkia ka detyrimin të shqyrtojë kërkesën brenda 15 ditësh. Nëse nuk jep asnjë përgjigje brenda 60 ditësh nga dorëzimi i aplikimit, sistemi elektronik lëshon automatikisht vendimin për miratimin e kërkesës në heshtje.
Vendimmarrja për lejet e ndërtimit i takon kryetarit të bashkisë, sipas ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Falë shërbimit “me një ndalesë” (one stop shop), aplikimi është bërë më i thjeshtë, më transparent dhe më i shpejtë, duke ulur pengesat burokratike dhe duke lehtësuar procesin për qytetarët.
Për të përfunduar aplikimin, qytetari duhet të dorëzojë disa dokumente në sistemin elektronik të lejeve. Këto përfshijnë kërkesën për leje ndërtimi të plotësuar sipas formularit përkatës, dokumentet që provojnë pronësinë ose marrëveshjet me pronarët, planin e pozicionimit të objektit në hartën ekzistuese, projektin teknik të ndërtimit dhe përshkrimin shoqërues të tij, si dhe grafikun e punimeve me afatet përkatëse. Po ashtu, duhet të dorëzohet edhe një deklaratë e projektuesit të licensuar që vërteton përputhjen e projektit me rregullat teknike dhe ligjore, si mbrojtja nga zjarri, siguria strukturore dhe kushtet higjieno-sanitare. Procedura mund të ndryshoj nëse ju po planifikoni të aplikoni për leje ndërtimi për shtëpi druri.
Në rast se nevojiten leje apo autorizime shtesë sipas ligjit, ato duhet të paraqiten gjithashtu përpara miratimit përfundimtar. Duhet të përfshihet edhe kopja e policës së sigurimit të projektuesit si dhe pagesa e tarifës së aplikimit.
Për ndërtimet e vogla nuk është e detyrueshme të paraqiten projektet e instalimeve elektrike, ujësjellësit apo dokumentet e mbikëqyrjes teknike. Mjafton që zbatuesi të dorëzojë një deklaratë noteriale, në të cilën të pranojë me përgjegjësi të plotë ligjore se ndërtimi është bërë sipas projektit dhe lejes së dhënë. Ne ju sugjerojm te lexoni mbi llojet e punimeve me deklaratë paraprake për kryerje punimesh.
Pas dorëzimit të aplikimit të plotë, brenda 45 ditësh lëshohet leja për ndërtim. Afati i vlefshmërisë së saj përcaktohet në formularin përkatës të lejes.
Nëse keni nevojë për udhëzime, dokumentacion ose asistencë teknike për të aplikuar për leje ndërtimi, ne ofrojmë konsulencë të plotë dhe ndihmë gjatë gjithë procesit. Na kontaktoni për të pasur një proces të sigurt, të shpejtë dhe pa stres.