Në këtë artikull do të listojm llojet e punimeve me deklaratë paraprake për kryerje punimesh. Shpesh, kur duam të bëjmë ndonjë ndryshim apo përmirësim në banesën apo biznesin tonë, na shkon mendja menjëherë te leja e ndërtimit. Por ja që jo gjithmonë është e nevojshme! Ka shumë raste kur mund të kryeni punime pa kaluar nëpër procedura të gjata dhe të lodhshme, mjafton një deklaratë paraprake.
Çfarë do të thotë kjo?
Sipas Ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit dhe vendimeve që e shoqërojnë, disa punime të vogla, të përkohshme ose që nuk prekin strukturën e ndërtesës, mund të realizohen vetëm duke dorëzuar një deklaratë paraprake pranë bashkisë, pa pasur nevojë për një leje ndërtimi të plotë.
Më poshtë keni informacionin e lëshuar nga Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit mbi llojet e punimeve me deklaratë paraprake për kryerje punimesh.
Referuar Ligjit 107/2014 datë 01.10.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, Neni 41, përcakton se, ndërhyrjet jothelbësore në objekt, të natyrës së përkohshme së instalimeve ose rregullimit të kontrollit të zhvillimit nga një leje apo autorizim tjetër apo nga legjislacion i posaçëm sektorial, nuk kërkojnë pajisjen me një leje ndërtimi dhe janë objekt i një deklarate paraprake për kryerje punimesh. Cilësojmë që disa punime mund të realizohen pa pasur një leje ndërtimi dhe pa plotesuar deklaratë punimesh.
Në VKM Nr. 408, Datë 13.5.2015, “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar me VKM nr. 271, datë 06.04.2016, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 408, datë 13.05.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, të ndryshuar”, VKM nr. 231, datë 21.03.2017, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 408, datë 13.05.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, të ndryshuar” dhe VKM Nr. 355, datë 19.04.2017, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Vendimin nr. 408, datë 13.05.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, të ndryshuar”, Neni 7, përcakton llojet e punimeve për të cilat është e nevojshme pajisja me Deklaratë Paraprake për kryerje Punimesh, të cilat janë:
Punime të jashtme
- Ndërhyrjet e mirëmbajtjes së zakonshme kur sjellin ndryshime të karakteristikave, formave dhe ngjyrave ekzistuese.
- Vendosja e shtresave për rritjen e efiçencës energjetike të ndërtesave ekzistuese.
Punime të brendshme
- Përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme.
- Hapja dhe mbyllja e dyerve të brendshme.
- Krijimi, eliminimi ose ndryshimi i mureve ndarës (jombajtës) të brendshëm, i mjediseve për shërbime higjienike.
- Realizimi i impianteve të reja higjieno-sanitare dhe të ngrohjes/ftohjes.
Punime të tjera
- Punimet për ndërtimin e rampave për përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara.
- Struktura që instalohen për nevoja të çastit dhe të përkohshme, pa themele, me materiale të çmontueshme, pa përdorur struktura beton-armeje, blloqe betoni, murature e soleta dhe që hiqen në çdo rast, brenda një afati kohor maksimal 6-mujor.
- Vendosja e paneleve diellore, fotovoltaike, në shërbim të ndërtesave, në përputhje me rregulloren arkitektonike të qytetit dhe kufizimet që mund të rrjedhin nga legjislacioni për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, historike apo mjedisore.
- Punime riparimi, zëvendësimi dhe mirëmbajtjeje të rrjeteve të infrastrukturës publike dhe komunikimeve elektronike, që nuk prekin sistemin konstruktiv të tyre, nuk ndryshojnë përdorimin dhe përmasat e infrastrukturës, si dhe kushtet e zhvillimit në zonën përreth.
- Punime riparimi, mirëmbajtjeje dhe rehabilitimi të infrastrukturës së ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
- Vendosja e tendave të diellit dhe pergolateve, në përputhje me ligjin që rregullon bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit dhe rregulloren arkitektonike të qytetit.
- Ndërhyrjet me qëllim ruajtjen apo rritjen e eficiencës energjetike dhe akustike në një strukturë ekzistuese, që nuk prekin sistemin konstruktiv të ndërtesës (p.sh.: ndërhyrje në themele, mure mbajtëse, tra-kolonë etj.).
- Serra të çmontueshme, pa themele të vazhduara, në shërbim të aktiviteteve bujqësore.
- Vendosja e ashensorëve.
- Vendosja e reklamave në fasadat e jashtme, për qëllime të promovimit të aktivitetit ekonomik privat. Vendosja e tyre rregullohet sipas rregullores specifike të secilit autoritet vendor të planifikimit, me përjashtim të vendosjes së reklamave jashtë territoreve urbane, ku përfshihen, por pa u kufizuar, rrugë interurbane, hekurudha, mjedise aeroportuale, pika doganore, të cilat rregullohen me akte të ministrive përgjegjëse.