Jo çdo lloj punimi ndërtimor kërkon pajisje me leje ndërtimi ose deklaratë paraprake për kryerje punimesh. Në kuadër të legjislacionit për zhvillimin e territorit, janë përcaktuar qartë disa lloje ndërhyrjesh që mund të realizohen pa këtë procedurë administrative. Këto përfshijnë punime të mirëmbajtjes së zakonshme, ndërhyrje të brendshme dhe të jashtme që nuk prekin strukturën ose që nuk ndryshojnë pamjen e objektit, si dhe punime që lidhen me përshtatjen për persona me aftësi të kufizuara apo veprimtari bujqësore.
Këto përjashtime janë të përcaktuara në Nenin 6 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.05.2015, i ndryshuar me VKM nr. 271, datë 06.04.2016; VKM nr. 231, datë 21.03.2017; dhe VKM Nr. 355, datë 19.04.2017.
Sipas këtij rregullimi, nuk kërkohet leje ndërtimi apo deklaratë paraprake për kryerjen e punimeve të mëposhtme:
Ndërhyrje të mirëmbajtjes së zakonshme:
a. Ndërhyrje të jashtme për riparimin dhe zëvendësimin e rifiniturave të jashtme të ndërtesave, me kusht që të ruhen karakteristikat origjinale të tyre, si më poshtë vijon:
- rifreskimi i lyerjes, suvatimit dhe veshjes së fasadave me materiale që kanë karakteristika dhe ngjyra të njëjta me ato ekzistuese;
- pastrimi i fasadave;
- riparimi dhe zëvendësimi i dritareve dhe dyerve, qepenave dhe vitrinave (duke përfshirë përdorimin e materialeve të ndryshme), pa ndryshuar karakteristikat si forma, ngjyra, dizajni dhe dimensionet e pjesëve të hapura dhe transparente;
- zëvendësimi i pjesshëm i mbulesës së çatisë, pa ndonjë ndryshim të formës, pjerrësisë dhe karakteristikave të veshjes;
- riparimi dhe zëvendësimi i ulluqeve dhe oxhakëve, edhe me materiale të ndryshme;
- riparimi i ballkoneve, tarracave dhe basamakëve apo barrierave mbrojtëse;
- vendosja e hekurave mbrojtës në dritare;
- vendosja e tendave të diellit dhe rrjetave kundër mushkonjave;
- sistemimi i oborreve;
- riparimi i rrethimeve ekzistuese.
b. Ndërhyrje të brendshme:
- riparimi dhe rinovimi i dyshemeve;
- riparimi dhe restaurimi i suvasë, veshjeve dhe ngjyrave;
- riparimi dhe rinovimi i dyerve dhe dritareve, përfshirë vendosjen e xhamave.
c. Ndërhyrje në impiante higjieno-sanitare:
- veprat e riparimit dhe zëvendësimit të pajisjeve higjieno-sanitare dhe riparimet e impiantit.
Punimet për eliminimin e barrierave arkitektonike dhe përshtatjen e ndërtesave për personat me aftësi të kufizuara.
Lëvizjet e dheut që lidhen, në mënyrë të posaçme, me ushtrimin e veprimtarisë bujqësore ose blegtorale, përfshirë ndërhyrjet në impiante hidraulike bujqësore. Ju mund të shkarkoni dokumentin e marrë nga Planifikimi dhe Zhvillimi i Territorit duke klikuar këtu.