Ky manual shpjegon të gjithë procesin e aplikimit për leje ndërtimi në Tiranë, dokumentet që duhen përgatitur, institucionet përgjegjëse dhe afatet kohore, duke u mbështetur direkt në udhëzuesin zyrtar të Bashkisë së Tiranës.
Hyrje
Leja e ndërtimit është akti që miraton kërkesën tuaj dhe ju jep të drejtën ligjore për të kryer punime ndërtimi, rikonstruksioni, shtese, prishjeje apo restaurimi, sipas përkufizimit të Ligjit Nr. 107/2014.
Aplikimi bëhet vetëm elektronikisht, përmes portalit E-Leje në e-Albania, duke e bërë procesin transparent, të shpejtë dhe të standardizuar.
Kur kërkohet Leje Ndërtimi?
- Rikonstruksion, riparim, restaurim
- Ndryshimi i funksionit të njësive individuale
- Rishikim i kushteve të lejes gjatë ndërtimit
- Shtesë kati / ristrukturim
- Rindërtim pas prishjes
- Ndërtim rrethimi, çatia, soletë
- Prishje objekti ekzistues
Verifikimi i kushteve të zhvillimit
Përpara aplikimit, duhet të kontrollohet se cilat rregulla urbanistike vlejnë për pronën:
Dy situatat e mundshme:
RASTI 1 – Prona është subjekt i PDV (Planit të Detajuar Vendor)
→ Kushtet e ndërtimit përcaktohen nga PDV Faza I dhe Faza II.
Në këtë rast, pa PDV nuk mund të aplikoni për leje ndërtimi.
RASTI 2 – Prona nuk është subjekt i PDV
→ Duhet të aplikoni fillimisht për Leje Zhvillimi.
Vetëm pas saj vijon aplikimi për leje ndërtimi.
Pajisja me dokumentet e pronës
Të gjitha dokumentet e pronësisë merren pranë ZVRPP / Hipoteka dhe duhet të jenë:
- brenda 3 muajve të fundit
- të noterizuara
- identike me origjinalin
- Dokumentet e detyrueshme:
- Çertifikata e pronësisë
- Kartela e pasurisë së paluajtshme
- Harta treguese e regjistrimit
Kujdes:
Nëse pronës i janë vendosur kufizime, servitute, qera apo vendime gjyqi, kërkohen dokumente shtesë sipas rastit.
Rikonfirmimi i Gen-Planit
- Gen-plani lëshohet nga Bashkia Tiranë dhe paraqet:
- kuotat
- relievin
- konturet e objekteve ekzistuese
- gjurmën e ndërtimit
- rrjetin rrugor
Rikonfirmimi kërkohet kur:
- Kanë kaluar 3 muaj nga data e miratimit.
- Prona është në zonë subjekt PDV-je.
- Zona ka ndryshime në rrjetin rrugor sipas PPV-së.
- Dokumentet e nevojshme:
- Dokumentet e pronësisë (Hapi 2)
- Fotokopja e Gen-planit ekzistues
Hartimi i projekteve teknike
Duhet një grup i plotë projektesh, secili i nënshkruar me nënshkrim elektronik, plus licencat dhe policat e sigurimit të ekspertëve.
Projekti teknik përfshin:
Projekti Arkitektonik
Përfshin planvendosjen në shkallë 1:500, planimetrinë me dimensione dhe kuota, fasadat, prerjet dhe detajet teknike. Përfshihen gjithashtu rendrat/vizualizimet, relacioni teknik, preventivi dhe grafiku i punimeve.
Projekti Konstruktiv
Përfshin planet e themeleve, kolona, muret, trarët dhe armimet. Përfshin studimin sizmologjik, studimin gjeologjik dhe relacionin teknik.
Projekti Hidro-Sanitar
Përfshin rrjetin e ujit, kanalizimeve dhe ujërave të shiut, skemat teknike dhe lidhjen me rrjetin ekzistues të qytetit.
Projekti Elektrik
Përfshin ndriçimin, prizat, sistemet telefonike/TV, skemat e kuadrove dhe rrufeprishësin.
Ngrohje-Ventilim
Përfshin projektin teknik dhe relacionin shpjegues për sistemet e ngrohjes dhe ventilimit.
Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM)
I miratuar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, për të vlerësuar ndikimin e projektit mbi mjedisin.
Projekti i Mbrojtjes nga Zjarri
I miratuar nga Drejtoria e Zjarrit (PMNZSH), për të garantuar masat e sigurisë ndaj zjarrit.
Përgatitja e dokumentacionit ligjor & aplikimi online
Gjatë ngarkimit në sistem, çdo dokument duhet të jetë i skanuar dhe i nënshkruar elektronikisht.
Lista kryesore e dokumenteve është shumë e gjerë, por më kryesoret janë:
Dokumente ligjore:
- Formati i aplikimit
- Prokura/autorizimi
- Leja e Zhvillimit / PDV
- Dokumentet e pronës
- Historiku i pronës
- Kontrata e sipërmarrjes
- Deklarata noteriale për kallkan
- Deklarata për prishjen e objekteve
Dokumente të kompanive:
- Licencat e subjektit ndërtues
- Vërtetimet nga QKB
- Vërtetimet nga OSHEE
- Vërtetimet nga UKT, CEZ, ALBtelekom, Pastrimi
- Vërtetimi i taksave vendore
Dokumente teknike:
- Të gjitha projektet arkitektonike, konstruktive, elektrike, hidraulike, etj.
- Relacionet teknike
- Deklaratat e përgjegjësisë profesionale
- Policat e sigurimit
- Preventivi
- Grafiku i punimeve
Shqyrtimi i kërkesës dhe afatet kohore
Procesi zgjat maksimumi 60 ditë pune, pa llogaritur afatet e plotësimit nga aplikanti.
Faza e parë: Kontrolli i formës
Bashkia kontrollon dokumentet brenda 5 ditëve.
Nëse ka mangësi → kërkohet plotësim.
Aplikanti ka 15 ditë kohë për plotësim.
Faza e dytë: Mendimi i institucioneve
Institucionet kanë 10 ditë për t’u shprehur.
Nëse nuk përgjigjen → konsiderohet miratim në heshtje.
Faza e tretë: Ndryshimet në projekt
Nëse kërkohen ndryshime → aplikanti ka 5 ditë kohë për korrigjim.
Faza e katërt: Raporti i Vlerësimit Teknik
Përgatitet nga bashkia dhe i kalon Drejtorit të Përgjithshëm.
Faza e pestë: Këshilli Teknik
Jep mendim përfundimtar për projektin.
Faza e gjashtë: Vendimi i Kryetarit të Bashkisë
Mund të jetë:
Pranim ose Refuzim
Pagesat
Dy pagesa kryesore duhet të kryhen:
- Tarifa e aplikimit
- Lëshohet nga Bashkia Tiranë nëpërmjet autorizimit online.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë
- bazohet në vlerën e investimit të ri.
- Llogaritet nga Bashkia.
- Paguhen përpara marrjes së lejes.
Nëse pagesa nuk kryhet brenda afatit → kërkesa REFUZOHET.
Lëshimi i Lejes së Ndërtimit
Pasi kryhen të gjitha verifikimet dhe pagesat:
- Kryetari i Bashkisë lëshon Formularin e Lejes së Ndërtimit
- Afati i lëshimit: brenda 5 ditëve pune
- Leja dërgohet elektronikisht në sistem.
Nëse jeni duke planifikuar të aplikoni për leje ndërtimi, ju ftojmë të na kontaktoni. Ne do të kujdesemi për të gjithë procesin dhe procedurat përkatëse, nga fillimi deri në përfundim.
Çfarë kërkohet nga ana juaj për të nisur aplikimin?
Për të filluar punën, na nevojitet një prokurë e noterizuar, e nënshkruar nga pronari ose bashkëpronarët. Kjo na mundëson të përgatisim dokumentacionin dhe të veprojmë në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore.
Kostot e lejes së ndërtimit
Shuma totale varet nga sipërfaqja e ndërtimit dhe zona ku ndodhet objekti. Pas dakordësimit parimor mbi procedurat dhe hapat e punës, komunikimi mes jush dhe zyrës sonë do të jetë i vazhdueshëm deri në finalizimin e gjithë procesit.
Nëse keni pyetje ose kërkoni sqarime shtesë, jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në çdo moment.


